Çështja e Gareth Bale është shqetësuese. Drejtuesit e Real Madridit e dinë që fjalët e sulmuesit pas finales nuk janë fjalët e dikujt që bën hapa prapa. E as diçka të ngjajshme. Ai nuk bën lajka dhe nuk fshihet si të tjerët. Uellsiani është një burrë i fjalëve të pakta dhe ajo që theksoi të Shtunën pas triumfit në Champions, i përgjigjet asaj që mendon dhe është si rrjedhojë e një frustrimi që ai ka ndjerë për një pjesë të madhe të sezonit.
Fytyra dhe gjestet e tij gjatë gjithë festës nuk linin vend për asnjë dyshim. Mezi mori pjesë madje në festën e ekipit. Nuk ka lidershipin në grup që mund të kenë Ronaldo apo Ramos dhe ky distancim ka bërë që ai të izolohet në vetvete. Në natën e së Dielës ai transmetoi sinjale shqetësuese për Madridizmin sepse Uellsiani ka ndryshuar si nata me ditën dhe tashmë është një simbol për Real Madridin. Goli ndaj Liverpool e tregon më së miri diçka të tillë.
Dhe këtë e bëri pikërisht në ndeshjen e fundit të sezonit, në atë që rezultoi të jetë vendimtar, duke bërë një diferencë esenciale brenda lojës. Muaji i fundit ka rezultuar të jetë muaji ku ai ka arritur të gjejë formën dhe ritmin që e karakterizon si futbollist, teksa me lojën dhe golat e tij ka ndihmuar ekipin të fitoje ndeshjet e fundit dhe atë më të rëndësishmen: finalen e Championsit.
Klubi e vlerëson dhe pavarësisht se vazhdojnë të llogarisin tek ai, por e dinë që nëse atij nuk i premtohet një status titullari dhe më tepër minuta në sezonin e ardhshëm, ai do të largohet drejt Premier League.
Mungesa në finalen e Kiev ka qenë përfundimtare që Bale të vendosë për largimin. Ai nuk e kupton distancimin e klubit dhe mungesën e mbështetjes ndaj tij në sezonin e fundit. Nuk i duket e arsyeshme. Uellsiani e ka të qartë dhe e di që nuk ndodhet këtu për të thyer rekordet. Ai kërkon diçka më tepër dhe me muaj të tërë po punon që të riktheje statusin që kishte dikur, pa mos shkaktuar apo nxitur probleme me askënd.
Drejtuesit e dinë që ai nuk tallet dhe që agjenti i tij po dëgjon ofertat nga Premier League, kampionat në të cilin vlera e tij mbetet e paprekur, i konsideruar në lartësinë e të mëdhenjëve.
Ndërsa rasti i Cristiano Ronaldos është i ndryshëm. E përsërit kohë pas kohe dhe Florentino Perez veçse i ka thënë që llogaritë tek ai dhe që, për momentin, çmimi i tij është 1 miliard euro. Aktualisht, as Ronaldo e as agjenti i tij nuk e kanë thënë në mënyrë zyrtare që dëshiron largimin, edhe pse dëshira për t’u larguar është treguar në disa mënyra të ndryshme. Dhe deri sa kjo të ndodhë, ka një qetësi totale. Për momentin, Florentino Perez nuk ka lëvizur asgjë në këtë çështje.