Klubi tashmë ka trajnerin e ri dhe të gjitha operacionet që po zhvillohen mund të përshpejtohen. Një nga vendimet që klubi po e dëshiron moti t’a realizojë si me Zidane dhe tani me trajnerin Julen Lopetegui është nënshkrimi i një portjeri. Dhe favorit mbetet portjeri i Romas, Alisson.
Klubi e riaktivizoi aksionin dje, për shkak se ka edhe disa klube tjera të interesuara për të dhe dëshirojnë që t’a mbyllin marrëveshjen para botërorit, pasi edhe vetë portjeri Brazilian kishte bërë të qartë se dëshiron të zgjidhte të ardhmen e tij para fillimit të botërorit, dhe ndeshjes së parë të Brazilit (të dielën).
Liverpooli është i interesuar për të por Alisson preferon Madridin, para klubeve tjera, dhe kjo është përparësia e klubit para klubeve tjera për nënshkrimin me të.
Alisson e di se do të duhet të konkurrojë me një portjer si Keylor Navas por ai mendon se do të ketë mjaftë kohë që t’i dëshmojë klubit aftësitë e tij nën urdhërat e Lopeteguit. Për më tepër, e ardhmja e Navas me trajnerin e ri nuk është e qartë.
Madridi tashmë e di se sjellja e një portjeri të nivelit të lartë nuk do t’i kushtonte pak por nuk janë të gatshëm të paguajnë më shumë se 60 milionë euro për portjerin e klubit Italian.