Nënkampioni i Kupës së Botës, Mateo Kovacic nuk ka ndryshuar mendje dhe është i vendosur të largohet nga Real Madridi këtë verë pas takimit me Julen Lopetegui të premten.
Takimi mes dy paleve u zhvillua në terenin e stërvitjeve, në Valdebebas, pasi mesfushori kroat i’a bëri të qartë synimet e tij teknikut Madrilen.
Kjo nuk ishte befasi për trajnerin, pasi diçka të tillë Kovacic kishte theksuar më 23 qershor për të përditshmen, Marca. “Unë do të doja të luaja më shumë në Madrid sepse e dua futbollin dhe dëshiroj të aktivizohem. E di se në Madrid është e vështirë të jesh startues, veçanërisht si në rastin tim kur kam ardhur shumë i ri. E kuptoj situatën, por kjo është arsyeja se pse mendoj që është më mirë të shkoj në një klub tjetër ku do kem mundësi të luaj rregullisht si startues.” – Kishte theksuar Kovacic në atë intervistë.
Manchester City, Bayern Munich, Juventus, Manchester United dhe Liverpool janë vetëm disa nga klubet që kanë treguar interes dhe i kanë ofruar një pozitë të rëndësishme në skuadër kroatit.
Në vetëm moshën 24 vjeçare, me trofe të fituar siç janë: tre tituj të Champions League, një La Liga, dy SuperKupa Evropiane, dy Kupa të Botës për Klube dhe një SuperKupë Spanjolle, ai mendon se mund të jetë koha e duhur për të lëvizur diku tjetër.
“Problemi është se është e vështirë për një lojtar të ri të mos ketë minutazh dhe pa të kurrë nuk do të jem në gjendje të tregoj potencialin tim. Kur nuk luaj natyrisht se nuk jam i lumtur. Kam kaluar jashtëzakonisht mirë këto tre vjet në Madrid, me shokë shumë të mirë, duke fituar trofe.. Por nuk kam qenë plotësisht i lumtur sepse kontributi im për të gjitha këto nuk ka qenë shumë i madh dhe është diçka që unë dua t’a ndryshoj.” – tha ndër të tjerash ish-mesfushori i Interit në intervistën e lartëpërmendur më 23 qershor.
‘Topi’ tani është në oborrin e klubit dhe klubi ka refuzuar një dëshirë të tillë të kroatit. Pasi u takua me trajnerin vetëm pesë ditë pas përfundimit të Kupës së Boës, shihet se sa serioz është Kovacic në dëshirën e tij dhe shpresat për zgjidhjen e së ardhmes së tij sa më shpejtë që të jetë e mundur.
Në Madrid, tani më presidenti po fillon të mendojë se nuk mund të ketë zgjidhje tjetër përveçëse se t’a lejojnë që të largohet, por nëse do të ndodh kështu, do të ndodh për më së paku 50 milion euro.